Në Bashkinë e Vlorës u mbajt Seminari i Parë në kuadër të Platformës së Angazhimit Konstruktiv.  

Takimi i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në zbatim të projektit Inclusive EduJobs. Takimi bëri bashkë zëvendës ministren e MShMS dhe përfaqësues të lartë të Ministrisë, nën pritjen e Kryetarit të Bashkisë Vlorë dhe zyrtarëve nga Bashkitë Elbasan dhe Shkodër, Drejtorin e Përgjithshëm të AKPA-së, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. 

Seminari përmbylli punimet e zhvilluara më herët në dy workshop-e me fokus Punësimin në Programin e Punëve Publike në Komunitet, një prej gjashtë skemave të zbatuara nga projekti Inclusive EduJobs. Diskutimet kishin në fokus gjetjet e workshop-eve të mëparshme për Programin e Punëve Publike në Komunitet, dhe koordinimin me programin e AKPA, duke identifikuar praktikat e suksesshme dhe rekomandimet e mëtejshme për t’i ardhur në ndihmë individëve nga grupet e disavantazhuar që kanë mungesë të aftësive profesionale dhe janë të papunë prej një kohe të gjatë. 

“Integrimi i pakicave rome dhe egjiptiane në tregun e punës është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve për gjithëpërfshirjen e pakicave, por edhe një përfitim direkt për sfidat madhore që lidhen me fuqinë punëtore në Shqipëri”, theksoi Dritan Nelaj, Drejtori i Projektit Inclusive EduJobs. 

Programi i Punëve Publike në Komunitet, si pjesë e Programeve të Nxitjes së Punësimit të financuar nga Qeveria Shqiptare, aftëson pjesëmarrësit për t’u përshtatur në tregun e punës dhe i angazhon për të ofruar shërbime në komunitetet e tyre, të zhvillojnë aftësi të buta, të rrisin vetëbesimin, të njihen me mundësitë e punësimit dhe të përshtaten në punën kolektive. 

Inclusive EduJobs financohet nga Bashkimi Evropian, dhe zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Bashkia Tiranë dhe KMOP.